Dy vëllezër kërcënojnë zyrtarët policorë në Pejë që ua sekuestruan veturën

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

E një rast i tillë është raportuar dje pasdite në Pejë, ku policët u përballën me kërcënime serioze pasi sekuestruan një veturë me targa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën e dërguan në Doganën e Kosovës pasi kishte 6 muaj që endej në Kosovë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se dy vëllezërit që ishin në veturë (emra të njohur për redaksinë), ua kanë vështirësuar kryerjen e detyrës policëve, ku njëri nga ta i kishte kërcënuar me fjalët ‘O po jau jepi besën e Zotit, kur të takohemi keni me marrë vesh ju’.

Me kërcënime ndaj zyrtarëve policorë vazhdoi edhe vëllai tjetër, i cili tha para policëve se ‘e mora vesh kush janë këta qena, jau di ku i kanë shpijat’.

Pas kërcënimeve me fjalë, dy vëllezërit kishin tentuar që t’i sulmojnë edhe fizikisht.

Sinjali mëson se kjo ka bërë që policët të kërkojnë përforcime, ku pas intervenimit të njësiteve policore, është arritur që të arrestohen dy personat e dyshuar, të cilët më pas janë dërguar në stacion për intervistim.

Me vendim të prokurorit, ndaj tyre kanë nisur hetimet nën dyshimet se kanë kryer veprën penale ‘Kanosje’ si dhe njërit nga të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa tjetri është liruar.

/GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published.