Shkruan: Hajdin Morina
Më 2001, në ditëlindjen e Komandantit të UÇK-së Mujë Krasniqi Klina bëri Festival për Lirinë e shtrenjtë. Ideja lindi nga njerëz të luftës e të kulturës, nga bashkëluftëtarë të Komandant Kapuçit, të cilët në shpirt kishin mall dhe zjarr për ta lartësuar, siç e meriton, figurën madhore të njërit nga komandantët më të lavdishëm të UÇK-së, i cili, me rrëketë e gjakut të tij, të vëlla Aliut, të Beqir Gashit e të dhjetëra dëshmorëve të tjerë të Kombit, ka nënshkruar Lirinë në kufirin që kishte ndarë Shqipërinë. Dhe Festivali u bë. Më 2002 Kuvendi Komunal i Klinës mori vendim për ta zyrtarizuar këtë ngjarje kulturore tradicionale që do të mbahej për çdo vit dhe do të fillonte pikërisht në ditëlindjen e Komandant Kapuçit, më 6 qershor, në fshatin e lindjes së tij, në Çabiqin që ndihet krenar për të kaluarën e vet, për të vazhduar për tri net radhazi, më 6, 7 e 8 qershor në qytetin e bukur buzë Drinit të Bardhë, në Klinën e ndryshimeve të thella në zhvillimet ekonomike dhe kulturore. Shumica e anëtarëve të atëhershëm të Këshillit organizativ të festivalit ende janë aktivë dhe japin kontribut të çmueshëm në segmente të ndryshme të organizimit, të mbarëvajtjes dhe të promovimit të Festivalit “I këndojmë lirisë”. U vlerësua puna e nismëtarëve të Festivalit. Klina paska pasur shumë nevojë për një Festival të tillë, për t’i bërë jehonë veprës së lavdishme të Komandant Mujë Krasniqit, luftës së drejtë dhe të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kushtrimit, luftës dhe amanetit të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë Jasharëve legjendarë që ndezën zjarrin e Lirisë së Kosovës në shtëpinë e tyre, në kullën e qëndresës së tyre tradicionale dhe ai zjarr lirie, ajo flakë e lirisë pastaj, siç thotë shkrimtari ynë Ismail Kadare, do ta ndriçojë Drenicën, Kosovën dhe do ta zgjojë nga gjumi Evropën dhe botën.
Festivali “I këndojmë lirisë” nga viti në vit e ka përsosur fizionominë e tij organizative dhe artistike dhe prurjet e tij estetike janë vlerësuar lart nga kompetentët e kulturës, të artit dhe të trashëgimisë sonë etnokulturore.
Në skenën e festivalit tash 20 vjet ngjiten bashkë rapsodë, këngë dhe valle nga të gjitha anët e trojeve etnike, për të kënduar dhe për të lartësuar luftën për Liri dhe vetë Lirinë dhe vlerat e saj.
Si vëllezërit dhe motrat në sofrën përbashkët, ashtu këngët dhe vallet nga çdo cep i Shqipërisë tash 20 vjet reflektojnë së bashku krenarinë dhe jehonën e luftës çlirimtare, përhapin mesazhin e bashkimit tonë kombëtar dhe promovimin, kultivimin dhe qasjen bashkëkohore ndaj vlerave, ndaj sistemit të vlerave tona si Komb i lashtë dhe krijues, që ka dhënë mjaft në zhvillimet e vjetra dhe të reja evropiane.
Tash 20 vjet skena e Festivalit lartëson Komandant Mujë Krasniqin, lartëson Luftën, lartëson Lirinë, duke bërë bashkë prushin e këngës së Drenicës, melodinë valë-valë të këngës dhe të valles së Labërisë, këngën majekrahu të Malësisë dhe vlera të tjera të trashëgimisë sonë etnomuzikore.
Festivali folklorik “I këndojmë lirisë” vë në lëvizje qindra qendra, shoqëri dhe grupe muzikore, qindra personalitete të fushave të ndryshme të artit, medie dhe mijëra shikues për ta formësuar çdo vit e më mirë fizionominë kulturore të Festivalit tonë, i cili, sipas konstatimit kompetent të disa specialistëve etnomuzikologë, bën pjesë në grupin e festivaleve më të mira që organizohen në trojet shqiptare.
Leave a Reply