Tentim vrasje në një lokal nate në Klinë, 40-vjeçari shpëton për një qime floku nga plumbi – i dyshuari ikë

Një 33-vjeçar ka tentuar ta vras një person, në një lokal në fshatin Volljakë të Klinës, në orët e mëngjesit të ditës së sotme, raporton Gazeta Sinjali. Rasti ka ndodhur derisa viktima ishte duke dalë nga lokali, kur për një moment i dyshuari nxjerr armën dhe shkrep një herë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se në momentin që i dyshuari ia ka drejtuar viktimës armën, vëllai i tij ka intervenuar duke e shtyrë dhe fatmirësisht nuk ka pësuar askush.

Policia ka marrë informacionin se çfarë ka ndodhur disa orë pasi ngjarja ka ndodhur, pasi viktima e rastit, një 40-vjeçar, nuk e kishte denoncuar rastin menjëherë.

Si rezultat i denoncimit, njësitet policore janë vënë në lëvizje dhe kanë bërë ekzaminimet e nevojshme, me ç’rast në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë dhe predha e plumbit.

Pas mbledhjes së provave, Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër për inicimin e rastit “vrasje në tentativë” dhe ka urdhëruar nisjen e hetimeve për kapjen e të dyshuarit.

Personi që po dyshohet për këtë rast nuk është arrestuar ende nga Policia, por  është bërë i gjallë përmes telefonit, ku ka deklaruar se do të paraqitet vet në stacion policor./GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published.