Plas sherri mes dy shitësve për shkak të konkurrencës në tregun e Pejës, njëri gjuan me armë zjarri

Mbrëmë, në rrugën “Papa Klementi”, të Pejës, pak para mesnatës, ka pasur gjuajtje me armë. Ngjarja dyshohet se ndodhi pas një konflikti verbal mes pronarëve të dy dyqaneve, që eskaloi në përdorimin e armës, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se palët e përfshira në rast fillimisht kanë pasur një mosmarrëveshje, derisa për një moment njëri prej tyre ka nxjerrë armën, me të cilën ka gjuajtur, duke tentuar ta frikësojë viktimën.

Përballë kësaj situate, ky i fundit ka kërkuar ndihmë nga Policia, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar i dyshuari dhe është sekuestruar arma e përdorur.

Sipas të njëjtave burime, motivi i përleshjes dyshohet të jetë konkurrenca mes dy palëve, për shkak të veprimtarisë që ushtrojnë, shitjen me shumicë të pemëve dhe perimeve.

I dyshuari që u kap nga Policia është shoqëruar në stacion dhe më pas është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për “Përdorim i armës apo mjetit të mjetit të rrezikshëm”. /GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published.