Specialja ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës

Gjykatësi paraprak, Nicolas Guillou, ka marrë vendim, me anë të së cilit, ia ka vazhduar masën e paraburgimit Pjetër Shalës, i cili po akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për krime lufte.

Kjo është bërë e ditur përmes vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Aty thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake konkludon, për qëllime të shqyrtimit periodik të paraburgimit të Shalës, në pajtim me nenin 41 (10) të Ligjit dhe rregullin 57 (2) të Rregullores, se rreziqet që Shala do të arratiset, pengojë ecurinë e procedurave të Dhomave të Specializuara, ose të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që i kanë ofruar dëshmi ZPS-së dhe/ose që do të paraqiten para Dhomave të Specializuara, vazhdojnë të ekzistojnë.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. /GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published.