Avokatët: “në çdo dokument ka shenja të gishtërinjve serbë”

Avokatët mbrojtës, të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, do të mbrojnë klientët e tyre me kundër argumentet që provat ndaj të akuzuarve janë falsifikuar dhe mbjellur nga autoritetet serbe.

Gregory Kehoe, avokati i Hashim Thaçit, ka deklaruar se “Serbia, duke qenë burimi i dokumenteve, ka fabrikuar prova, ka trilluar histori dhe ka mbjell akuza, siç është ajo për trafikimin e organeve, e cila as nuk është në aktakuzë”, shkruan Albanian Post.

Kehoe raportin e Dick Marty-it në Këshillin e Evropën rreth krimeve të pretenduara të UÇK-së, e ka vlerësuar “në masë të madhe të bazuar në mijëra dokumente” që Dick Marty-it i janë dhënë nga autoritetet serbe në vitin 2009, duke cituar fjalët e ambasadorit serb në Zvicër, Millan Protiç.

Kehoe citoi fjalët e ambasadorit serb në një intervistë televizive ku thoshte se “po të mos kishte pasur dokumente nga Zyra e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi, nuk do të kishte pasur raport të Marty-it”.

Avokati i Thaçit ka rikujtuar ngjarjet që u bënë së fundi publike nga intervista e Marty-it ku autoritetet serbe synuan vrasjen e Marty-it “si i vetmi dëshmitar që mund të qartësojë gjithçka” dhe për t’ua hedhur fajin shqiptarëve.

Ndërsa, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka thënë se “gjurmët e gishtërinjve serbë janë kudo nëpër provat mbi të cilat bazohet kjo aktakuzë”.

Emmerson rikujtoi se proceset gjyqësore në Tribunalin e Hagës ku e kishte mbrojtur Ramush Haradinaj, ishte konkluduar se “shërbimet e inteligjencës serbe qëllimisht kishin mbjellur prova të rreme”.

“Dhe mbi bazën e kësaj, do t’i përgënjeshtrojmë të gjitha pretendimet e paditësve”, ka thënë Emmerson. Madje mes tjerash, ai ka thënë se “prokuroria është manipuluar me vetë vullnetin e saj të lirë nga Shërbimi Informativ dhe i Sigurisë serbe (BIA)”.

Avokati i Veselit, veç asaj, tregoi edhe se “i vetmi dëshmitar që ka folur rreth gjoja heqjen e organeve, më vonë e ka pranuar që ka qenë gënjeshtër e tërësishme, dhe se inteligjencia serbe e kornizoi ta thotë atë”.

“Tani e dimë se ato akuza erdhën nga Serbia dhe ishin të fabrikuara. Asnjë nga këto akuza nuk u pranuan nga prokuroria”.

“Është tronditëse”, u shpreh avokati “që prokuroria u mbështetë në një kriminel të dënuar të luftës për të marrë informacione relevante për këtë proces gjyqësor”.

Andrew Young, avokati mbrojtës i të akuzuarit Rexhep Selimi pohoi se në falsifikimin e provave në të cilat bazohej raporti i Marty-it, përveç inteligjencës serbe, kanë marrë pjesë edhe shërbimet ruse.

Avokati mbrojtës kanë përmendur rastin e vrasjes së gjashtë të rinjve serbë në kafenenë Panda në Pejë në vitin 1998 si dëshmi se autoritetet serbe po vendosin disa herë prova të rreme deri më tani.

Avokati i Rexhepit deklaroi në konferencën e statusit të majit, se presidenti serb Aleksandër Vuçiç “zyrtarisht pranoi në emër të qeverisë serbe” se “agjentët e shërbimit sekret serb i vranë të rinjtë dhe fajësuan UÇK-në për këtë”. /Albanianpost.com

Leave a Reply

Your email address will not be published.