Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar sot edicionin e 22-të të përmbledhjes Pulsi Publik, ndërsa bëhet e ditur se ka rënë niveli i kënaqshmërisë për punën e kryeministrit, ndërsa është rritur për presidenten.
Niveli i regjistruar i kënaqshmërisë me punën e kryeministrit është 52.6% (53.2% në vjeshtën 2021), e me punën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës është 54.4% (55.4% në vjeshtën 2021).
Një numër pak më i lartë i të anketuarve ishin të gatshëm të protestojnë për arsye politike në prill 2022 (37.6%) sesa në vjeshtën 2021 (35.6%).
Gjetjet nga anketa e opinionit tregojnë rritje të ndjenjës së sigurisë tek të anketuarit, me 80.4% që ndihen të sigurt kur janë jashtë, krahasuar me 73.6% në vjeshtën 2021.
Tri problemet madhore të raportuara gjatë kësaj ankete ishin papunësia (36.4%), varfëria (21.1%) dhe çmimet e furnizimeve esenciale (7.7%). Mjedisi, që ishte një nga tri problemet kryesore në vjeshtë 2021, ka rënë në vendin e tetë. Kujdesi shëndetësor (5.7%) dhe korrupsioni (5%) ishin ndër pesë problemet kryesore të identifikuara nga të anketuarit. /GazetaSinjali/
Leave a Reply