Specialisti i otorinolaringologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Flamur Ukaj, mbrëmë është përballur me kërcënime serioze për jetën. Një qytetar i ka dhënë ultimatum Ukajt që t’ia nënshkruaj raportin që ia mundëson trajtimin jashtë institucioneve shëndetësore publike, në të kundërtën do ta pësojë.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda institucioneve të sigurisë se i dyshuari për kërcënimin ndaj mjekut Ukaj është Alban Bytyqi, 43-vjeçar.
Bytyqi dyshohet se mbrëmë ka nisur mesazhe e thirrje telefonike me përmbajtje kërcënuese për Ukajn, të cilit i ka dhënë afat deri sot në ora 07:00 që t’ia nënshkruaj raportin që mundëson trajtimin jashtë vendit.
Për shkak të shqetësimeve që ia shkaktuan këto mesazhe, mjeku i ORL-së vendosi që rastin ta denoncojë në Polici.
Njësitet policore me të marrë informatën kanë tentuar që të kontaktojnë me Bytyqin, por që i njëjti nuk është përgjigjur në telefonata e as mesazhet të cilat i bëjnë thirrje që të paraqitet në stacion.
Gjatë verifikimit të të dhënave, rezulton që Bytyqi ka adresa të ndryshme të banimit, gjë e cila ka vështirësuar kapjen e tij.
Me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Kanosje’ dhe veprimet tjera ligjore do të merren posa të arrestohet 43-vjeçari.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/
Leave a Reply