Myftiu Tërnava uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajram

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

“Me këtë rast, në këtë ditë të madhe, kam kënaqësinë që në emër të Bashkësisë Islame, institucioneve të saj dhe në emrin tim, t’u bashkëngjitëm lutjeve e ibadeteve të besimtarëve myslimanë që sot janë në rrafshnaltën e Arafatit, ku të gjithë të veshur me petkun e bardhë – me ihrama, të barabartë e pa asnjë dallim, me çiltërsinë shpirtërore e me bindje dhe sinqeritet, kanë nisur kryerjen e obligimeve të haxhit“, tha Tërnava.

Myftiu mes tjerash, ka folur edhe për shtyllat e fesë islame duke treguar rëndësinë e këtij adhurimi, i cili sipas tij e afron njeriun më shumë drejt parajsës dhe faljes së mëkateve – pastrim i shpirtit, rritje e nderit, respektit dhe dashurisë ndër njerëzore, shkruan Gazeta Sinjali.

“S’ka dyshim se haxhi është një nga shtyllat e fesë sonë islame, dhe një nga obligimet më të dashura të Zotit për njeriun, është njëri nga adhurimet që njeriun e afron më shumë me Xhenetin dhe me mundësinë e faljes së mëkateve, ia pastron shpirtin, rritë nderin, respektin dhe dashurinë ndërmjet njerëzve, duke e vlerësuar njeriun si krijesën më të kompletuar që ka krijuar Zoti”, citohet Tërnava.

Sipas tij, festat fetare te ne, në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale – urtësinë para euforisë, drejtësinë para shtypjes, paqen para konfliktit e dhunës dhe solidaritetin para koprracisë.

“Festat fetare te ne, në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë, ndaj, ne lutemi dhe urojmë që edhe ky Bajram të jetë në frymën e tillë”, tha Tërnava.

“Duke ju uruar për festën e madhe të Kurban-Bajramit, lus Zotin për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni në familjet tuaja“, përfundoi myftiu Tërnava. /GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published.