Përleshja në Gjakovë: Këta janë tre te dyshuarit që i zuri sherri në komunikacion, njëri kërcënoi me armë – të tjerët e sulmuan

Shkeljet që bëhen në komunikacion, shpesh përcillen edhe me konflikte verbale mes pjesëmarrësve në trafik, madje ka raste kur eskalojnë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Nëna Terezë” në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë në përleshje janë përfshirë tre persona, të cilët janë arrestuar më pas, si të dyshuar për tri vepra penale.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Dukagjin Gjocaj (62-vjeçar), Taulant Lula (36-vjeçar) dhe Dren Rezniqi (31-vjeçar).

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të ndalohet për 48 orë i dyshuari i parë Gjocaj, ndërkohë që dy të dyshuarit e tjerë të hetohen në procedurë të rregullt.

I dyshuari kryesor sipas informacioneve të para ka kërcënuar të dyshuarit e tjerë, duke nxjerrë një armë, të cilën ata arritën t’ia merrnin nga duart, para se të përshkallëzohej situata.

Por gjatë përleshjes, i dyshuari i dytë dhe i tretë e kanë sulmuar 62-vjeçarin, i cili dyshohet edhe për dëmtimin e një veture.

Me të dalë Policia në vendin e ngjarjes është sekuestruar arma e të dyshuarit kryesor dhe disa fishekë. Ndaj 62-vjeçarit kanë nisur hetimet për veprat penale “Dëmtim prone”, “Kanosje me armë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published.