“E vras veten nëse s’më jepni para për narkotikë”- 25-vjeçari nga Istogu terrorizon prindërit

Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në mesnatë në fshatin Saradran të Istogut, ku dy prindër e kanë denoncuar djalin e tyre 25-vjeçar, i cili është përdorues i substancave narkotike.

I dyshuari i ka kërcënuar prindërit e tij se do të bëjë vetëvrasje nëse nuk i japin para për të blerë substanca narkotike. Kjo situatë i ka shqetësuar ata tejmase, duke e ditur se i biri edhe para disa muajsh ka tentuar t’i jap fund jetës.

Droga që u bë mollë sherri për familjen nga Istogu i detyroi prindërit e të dyshuarit ta njoftojnë Policinë për të parandaluar më të keqen.

Në dëshminë e tyre të dhënë në Polici thuhet se fillimisht kishin pasur një fjalosje me të birin, kur ai i kishte kërkuar veturën babait dhe pas refuzimit të këtij të fundit për t’ia dhënë, kishte plasur sherri. Ai po dyshohet se i ka sharë e kërcënuar ata dhe gjithë kjo dyshohet se ka ndodhur pasi ai s’kishte të holla për substanca narkotike.

Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar dhe ka arrestuar të riun, i cili është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”. /GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published.