Familjarët e drejtuesve të komunës dalin më të vlerësuarit e konkursit për t’u punësuar në Klinë

Njërës gruaja e vëllait, e tjetrit reja. Kështu, dy zyrtarëve mjaft të rëndësishëm në komunën e Klinës, pritet t’u punësohet në komunë nga një familjar. Fjala është për nënkryetaren e komunës së Klinës, Marqe Tanushi-Selmanaj dhe asamblistin e AAK-së, Tun Dedaj, që në zgjedhjet e fundit lokale ishte bartës i listës.

Gazeta Nacionale ka mësuar se në konkursin e fundit të shpallur në muajin qershor nga komuna e Klinës, më të vlerësuarat kanë dalë familjarët e këtyre dy zyrtarëve të lartë komunalë.

Më saktësisht, nga dokumentacionet që ka parë Nacionale, gruaja e vëllait të nënkryetares së Klinës, Arbëresha Tanushi, ka dalë më e vlerësuara në konkursin për Zyrtare për Regjistrimin e Biznesve në Klinë. Kurse, Kristjana Dedaj, reja e asamblistit të AAK-së, Tun Dedaj, është vlerësuar më së shumti për pozitën Zyrtare Certifikuese.

Këto rezultate dhe bazuar në kiteret e konkursit, kandidatja Arbëresha Tanushi përzgjedhet për pozitën Zyrtare për Regjistrimin e Bizneseve, ndërsa kandidatja Kristjana Dedaj përzgjedhet për pozitën Zyrtare Certifikuese”, thuhet në vendimin e parë nga Nacionale.

Nuk dihet nëse këto dy zyrtare do të punësohen edhe zyrtarisht, meqë aktualisht ankesat e kandidatëve të tjerë janë në shqyrtim e sipër. Megjithatë, në mesin e 13 kandidatëve që i kanë hyrë testimeve, familjarët e këtyre dy zyrtarëve të komunës, janë vlerësuar më së shumti.

Një burim i njohur me zhvillimet në këtë konkurs, i ka thënë Nacionales se pavarësisht që konkursi ka qenë për dy pozita të ndryshme, pyetjet në testim kanë qenë të njëjta çuditërisht. Burimi që ka dashur të mbetet anonim, pretendon se konkursi ishte i orkestruar.

“Parregullsitë kanë qenë sepse në një konkurs që ka qenë për dy pozita të ndryshme, ka qenë një test. Testi nuk i ka pasur të theksuara pikët për çdo pyetje, testi ka qenë online dhe njoftoheshe më vonë për rezultatin, e jo direkt kur klikoje për përfundim të testit. Të gjitha këto parregullsi në gjithë procesin, kanë qenë për të favorizuar dy kandidatet e pranuara”, ka theksuar ky burim për Nacionalen.

Konkursi ishte shpallur më 10 qershor, dhe kërkoheshin dy pozita: Zyrtar për Regjistrimin e Bizneseve dhe Zyrtar për Certifikim.

Marqe Tanushi-Selmanaj është nënkryetare e komunës së Klinës. Ajo kishte qenë edhe kandidate për deputete nga radhët e AAK-së, që tash e udhëheq komunën e Klinës. Se ka lidhje familjare me Arbëresha Tanushin, kandidaten e vlerësuar më së shumti në konkurs, konfirmohet edhe nëpër rrjete sociale.

Kurse, asamblisti i AAK-së, Tun Dedaj, që ishte bartës i listës në zgjedhjet e fundit lokale, e ka konfirmuar se e ka re të vlerësuarën në këtë konkurs, Kristjana Dedaj.

Çfarë thonë Komuna dhe drejtuesit e saj?
Tun Dedaj, asamblist i AAK-së, e ka konfirmuar për gazetën Nacionale se Kristjana Dedaj, është reja e tij. Ai ishte në dijeni se reja e tij është pranuar në këtë konkurs, por shprehet i bindur se nuk ka pasur asnjë ndikim.

Madje siç thotë, familjarët e tij nuk mund të mbesin pa punë, vetëm se e kanë të afërmin asamblist.

“Reja jeme është bash. Nuk e di pasha zotin në çfarë pozite. Ajo është pranuar, edhe në bazë të konkursit ka të drejtë me konkuru. Edhe pse është reja jeme nuk ka mujtë me mbetë pa punë”, thotë në fillim asamblisti i AAK-së në Klinë.

“Jo, nuk ka kurrfarë ndikimi, nuk merrna me punësime, jam asamblist, edhe jam për mandatin e tretë. Anëtarët e familjes teme nuk munden me mbetë pa punë pse jam unë asamblist”, përfundoi Tun Dedaj për Nacionalen.

Gazeta Nacionale ka tentuar të kontaktojë direkt edhe me nënkryetaren e komunës së Klinës, Marqe Tanushi-Selmanaj, por që ajo nuk ka qenë e qasshme. Ashtu siç edhe kryetari i komunës, Zenun Elezaj, që nuk e ka hapur telefonin.

Megjithatë, zyra për media e komunës së Klinës, në një përgjigje për Nacionalen e ka mohuar se ka pasur ndonjë ndikim. Komuna thekson se konkursi aktualisht është në fazën e ankesave.

“Kjo procedurë është në fazën e ankimimit për jetëshkrimin, dhe e tërë procedura zhvillohet përmes panelit intervistues të cilët edhe janë kompententë, përmes sistemit HRMIS”, thuhet në përgjigjen e komunës për Nacionalen.

“Lidhur me pretendimet a kanë ndikuar zyrtarët e lartë, nuk jam kompetent as në dijeni. Kandidatët e pakënaqur kanë ushtruar ankesë dhe ne presim përgjigjet dhe vendimet që na vijnë”, përfundon përgjigjja e komunës së Klinës.

Njoftimi për rezultatet e konkursit, është publikuar më datën 4 gusht. Përderisa, kandidatët kanë pasur të drejtë ankese për tri ditë. Kurse, ankesa e tyre do të shqyrtohet për 7 ditët e ardhshme nga Komisioni i Pranimit. /Nacionale/

Leave a Reply

Your email address will not be published.