CEO i Pfizer, Albert Bourla, firma farmaceutike e cila në SHBA krijoi një ndër vaksinat kryesore kundër COVID-19, njoftoi se ai doli pozitiv me virusin për herë të parë.
Në një deklaratë nga Pfizer, Bourla 60 vjeç, tha se ishte “mirënjohës” që u vaksinua 4 herë kundër koronavirusit dhe se “ndihet mirë, teksa po përjeton simptoma shumë të lehta”.
“Unë jam izoluar, si dhe po ndjek të gjitha masat paraprake të shëndetit publik. Kam filluar një trajtim me PAXLOVID”, tha ai, duke iu referuar trajtimit të ilaçeve për koronavirusin nga Pfizer.
“Ne kemi arritur aq larg në përpjekjet tona për të luftuar këtë sëmundje saqë kam besim se do të kem një shërim të shpejtë”, tha Bourla.
Deklarata vuri në dukje se PAXLOVID nuk është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së, por është autorizuar për përdorim urgjent tek të rriturit me simptoma të buta deri në mesatare të COVID-19.
Bourla, djali i të mbijetuarve të Holokaustit, udhëhoqi kompaninë e tij për të zhvilluar vaksinën Pfizer-BioNTech kundër COVID-19 në vetëm nëntë muaj. Gati 20 milionë jetë vlerësohet se u shpëtuan nga vaksinat e COVID-19 gjatë vitit të parë që u bënë të disponueshme.
Izraeli ishte një nga vendet e para që vaksinoi popullsinë e tij kundër COVID-19, duke përdorur vaksinën e Pfizer.
Në qershor, Bourla mori çmimin 1 milion dollarë Genesis në një ceremoni në Jerusalem, duke njoftuar se do t’i dhuronte fondet për një muze të planifikuar të Holokaustit në Selanik, Greqi, ku ai lindi.
Çmimi vjetor, i dhënë që nga viti 2014 nga Genesis Philanthropy Group, u jepet “individëve të jashtëzakonshëm për arritjet e tyre të jashtëzakonshme profesionale, kontributin për njerëzimin dhe përkushtimin ndaj vlerave hebraike”. /GazetaSinjali/
Leave a Reply