Alarmojnë kirurgët e spitalit të ri pediatrik: Po i operojmë fëmijët me improvizime të rrezikshme

Kirurgët në spitalin e ri pediatrik në QKUK kanë alarmuar se po i kryejnë operacionet tek fëmijët, me improvizime të rrezikshme për shkak të mungesës së stafit. Ata kanë shkruar një letër të cilën ia kanë dërguar edhe ministrit Rifat Latifi.

Spitali i ri pediatrik i cili u ndërtua me donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nuk po i plotëson kushtet normale për të kryer operacione tek fëmijët për shkak të mungesës së stafit mjekësor në disa profile.

Për këtë çështje kanë reaguar kirurgët e Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, të cilët janë pjesë e spitalit të ri. Madje ata kanë alarmuar se po kryejnë operacione në kushte që mund të rrezikojnë shëndetin e pacientëve.

Mjekët thonë se i kanë katër salla operative dhe një të urgjencës, por punojnë vetëm dy prej tyre ku punohen edhe urgjencat. “Dy salla të tjera elektive dhe salla e urgjencës qëndrojnë të mbyllura në ndërkohë që lista e pritjes së pacientëve për operacione elektive vazhdon të zgjatet”, thuhet në letrën e mjekëve, të cilën e kanë dërguar në menaxhmentin e SHSKUK-së dhe tek ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi.

Kirurgët kanë deklaruar se kanë mungesë të anesteziologëve dhe për këtë shkak shpesh herë bie edhe programi selektiv. Ata kanë kërkuar që anesteziologët të jenë pjesë e klinikës së tyre për të siguruar mbarëvajtjen e punës.

Ndërkaq në sallat operative ka mungesë të instrumentareve të rrethit të cilat sigurojnë që mjetet e përdorura gjatë operacionit të jenë sterile si dhe të bëjë numërimin e gazrave, raporton Gazeta Shneta.

“Aktualisht jemi duke operuar fëmijët me improvizime të rrezikshme për shëndetin e pacientëve. Në kujdestaritë tona ne kemi vetëm një instrumentare dhe nuk kemi fare instrumentare të rrethit. Kjo është e rrezikshme sepse instrumentarja detyrohet të desterilizohet gjatë operacionit dhe përsëri të vishet me rroba sterile për të vazhduar operacionin”, kanë shkruar mjekët në letrën e tyre.

Kirurgët po ashtu kanë kërkuar edhe hapësira shtesë për dhomat e tyre në objektin e vjetër të Klinikës së Pediatrisë. /GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published.