“Ja ke me kanë me mu, ja s’kena me kanë asnjani”- Ferizajasi s’e lë rehat 21-vjeçaren, e shqetëson vazhdimisht

Shpesh herë burrat kosovarë nuk arrijnë të pranojnë refuzimin nga një femër, duke bërë kështu që të kërkojnë me çdo kusht të krijojnë lidhje me to. Ata nuk i kursejnë as kërcënimet e veprimet e dhunshme ndaj tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Ferizaj, ku një person vazhdimisht shqetëson një vajzë dhe familjen e saj.

Sinjali mëson se mbrëmë i dyshuari 33-vjeçar kishte shkuar me veturë para shtëpisë së 21-vjeçares duke lëshuar muzikë të lartë. Po ashtu edhe ditë më parë i kishte shkuar vajzës në vendin e saj të punës duke e kërcënuar se ose do të përfundojë në një lidhje me të, ose s’do ekzistojnë asnjëri.

E të njëjtat fjalë ia kujton sa herë i del përpara, çka ka bërë që 21-vjeçarja të kërkojë ndihmën e Policisë për ta larguar atë person nga vetja.

Njësitet policore me të marrën informatën janë vënë menjëherë në lëvizje, me ç’rast kanë arritur që ta arrestojnë personin e dyshuar.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 33-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’. /GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published.