Ekskluzive: Ky është i dyshuari për vrasjen e 22-vjeçarit në Podujevë

Një mosmarrëveshje në trafik në Gllamnik të Podujevës mbrëmjen e së hënës, kishte përfunduar tragjikisht për 22-vjeçarin, Amir Zhegrova. Ai dyshohet se u ther me thikë për vdekje nga një person pas konfrontimit derisa po lëviznin me veturat e tyre. I dyshuari ishte arratisur nga vendi i ngjarjes, për t’u dorëzuar në Polici disa ditë pas ngjarjes së rëndë. Ai u arrestua dhe është dërguar në mbajtje, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari për vrasjen e 22-vjeçarit, është i riu, Orges Zhugolli.

Zhugolli është dorëzuar në Polici gjatë ditës së djeshme, ku është intervistuar në praninë e avokatit të tij mbrojtës.

Me urdhër të prokurorit 25-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje’.

Por si ndodhi ngjarja?

Siç mëson Sinjali, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, kur i dyshuari dhe viktima ishin me veturat e tyre duke lëvizur, kur papritmas i dyshuari e tejkaloi dhe ia zuri rrugën, e më pas nxori thikën. Aty, viktima u godit me thikë në gjoks nga i njëjti dhe më pas iku nga vendi i ngjarjes.

Viktima, i cili ndodhej me miq, u dërgua me urgjencë në spital, ku pas ndihmës së parë në Podujevë është transportuar për në QKUK.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published.